U miratua Ligji për efikasitet energjetik në RMV, kolektorët diellorë bëhen të detyrueshëm për ndërtesat publike

Kolektorët diellorë të detyrueshëm gjatë ndërtimit ose rindërtimit të shkollave, kopshteve dhe institucioneve publike, mbështetja financiare për investimet në panele diellore, sisteme gjeotermale dhe teknologji inteligjente, si dhe një strategji për rindërtimin e ndërtesave banesore, publike dhe komerciale në objekte me efikasitet energjetik janë disa nga risitë që sjell ligji i ri për efikasitetin energjetik i miratuar nga Parlamenti në seancën e fundit, transmeton Portalb.mk.
Siç informoi Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, ligji duhet të jetë nkornizë që do t’i afrojë praktikat e Maqedoniseë me standardet evropiane dhe që do të kontribuojë drejtpërdrejt në faturat më të ulëta për qytetarët, një mjedis më të pastër dhe krijimin e vendeve të reja të gjelbra të punës.
“Ligji ofron një hap të konsiderueshëm përpara në uljen e konsumit të energjisë, integrimin e burimeve të rinovueshme dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë. Zbatimi i tij do të krijojë sistem të qëndrueshëm që do ta afrojë vendin me objektivat evropiane të klimës dhe konceptin e një tranzicioni të gjelbër”, thotë Ministria.
Ligji parashikon gjithashtu futjen e parimit evropian të efikasitetit të energjisë së pari dhe një rritje trefish të kursimeve në sektorin publik me rindërtim të detyrueshëm prej të paktën 3 përqind të ndërtesave publike çdo vit. Gjithashtu parashikohen standarde të larta në prokurimin publik, transparencë digjitale dhe profesionalizim i auditimeve të energjisë, si dhe përfshirja e certifikatave të performancës energjetike në Kadastrën e Pasurive të Paluajtshme dhe stimuj për bashkëpunim ndërkomunal.
Ministria beson se miratimi i këtij ligji krijon një kuadër ligjor, ekonomik dhe social që ul kostot për qytetarët dhe bizneset, përshpejton integrimin e burimeve të rinovueshme dhe mundëson krijimin e një sistemi të qëndrueshëm energjetik.
Kujtojmë se në maj u miratua Ligji për Energjetikë me 62 vota “për”.



