Borrel: Jam kundër pavarësisë së Kosovës

Përfaqësuesi i emëruar i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, vjen nga Spanja – një nga vendet më të fuqishme të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Borrell, 72 vjeç, aktualisht ministër i Jashtëm i Spanjës, pritet të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi ka shërbyer si president i Parlamentit Evropian nga viti 2004 deri më 2007.
Ai e ka reputacionin e mbështetësit të Bashkimit Evropian. Në mars të këtij viti, Borrell ka qëndruar në Beograd, ku ka thënë se Spanja ka qenë kundër “shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës” dhe se ajo “nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Serbisë, kur bëhet fjalë për Kosovën”.
“I kemi përsëritur presidentit (të Serbisë, Aleksandar Vuçiq) dhe ministrit (të Jashtëm, Ivica Daçiq) qëndrimin e Spanjës për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, konsiderojmë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet te zgjidhja e përhershme e kompromisit për këtë çështje”, ka thënë Borrell.
Në fund të gushtit të vitit 2018, Borrell është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë në vija etnike.
Siç transmeton agjencia spanjolle e lajmeve EFE, Borrell u ka thënë gazetarëve se “Evropa nuk është ndërtuar për të krijuar njësi monolite dhe homogjene mbi çështjet e kulturës dhe etnisë, por për t’iu ndihmuar njerëzve të ndryshëm të jetojnë së bashku”.
Borrell, nëse konfirmohet nga Parlamenti Evropian, do të pasojë shefen aktuale të politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Rrjedhimisht, ai do të udhëheqë edhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Bisedimet, që kanë nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, aktualisht janë ndërprerë për shkak të një takse që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se është inkurajues fakti që kryetare e Komisionit Evropian “do të jetë një bashkëpunëtore e afërt e kancelares, Angela Merkel, pra Ursula van der Leyen”.
“Sa i përket dialogut dhe zgjedhjes së një spanjolli është herët të flasim se ku do të përfundojë dialogu, a do të rikthehet atje ku ishte apo do të kthehet në Komision”, tha Haradinaj.



