Embargo, kriza dhe paqëndrueshmëri politike në RMV: A është rritur vërtet ekonomia pas 34 viteve?

Embargot, privatizimi, krimi, krizat ekonomike dhe financiare, beteja për një standard mesatar jetese, beteja për rroga më të larta të funksionarëve, hendek gjithnjë e më i thellë midis atyre që kanë dhe atyre që mbijetojnë. 34 vjet pavarësi shtetërore. Për ekonominë e Maqedonisë, përqindjet e rritjes së PBB-së prej 4% ende konsiderohen si “arritje e madhe”, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.

Pavarësia ekonomike përmes “syve” të ekonomistëve..
8 shtator 1991 – qytetarët në referendum u deklaruan për të ardhmen e shtetit – për Republikë të Maqedonisë të pavarur dhe sovrane. Pavarësia politike e hapi rrugën edhe për pavarësinë ekonomike – në vitin 1991, filloi procesi i pavarësisë monetare dhe në vitin 1992, u realizua ky proces nën udhëheqjen e “treshes” së atëhershme: Kryeministri  Nikola Kljusev , ministri i Financave, Metodija Toshevski  dhe Guvernatori i BPM-së  Borko Stanoevski. Pjekuria ekonomike e vendit u shoqërua me sfida të shumta që do të lënë gjurmë të përhershme edhe sot, 34 vjet pas pavarësisë.

“Në moshën 34 vjeçe, vendet i japin provimet e maturisë: nuk mjafton më të mbijetojmë tronditjet, duhet të zgjedhim me vetëdije drejtimin e zhvillimit. Historia jonë ka kthesa të qarta, nga turbulencat inflacioniste dhe devalvimi në vitin 1997, përmes krizës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, deri te Prespa, NATO-ja dhe rruga e filluar evropiane. Ndërkohë, e ndërtuam edhe parashikueshmërinë e çmimeve dhe stabilitetin bankar”, thotë profesori universitar Borçe Trenovski.

Ekonomia, megjithëse ka kohë që ka arritur moshën e pjekurisë, ende po përballet me kriza, stabilitet çmimesh, borxh publik, deficit të qëndrueshëm tregtar, standard më të mirë jetese,

“Edhe pas pothuajse 34 vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut ende nuk mund të përshkruhet plotësisht si një shtet i pjekur ekonomikisht. Ajo që mungon është një vizion afatgjatë dhe vazhdimësi në reforma”, thotë profesori Abil Baush.

Ngjarjet dhe zhvillimet me “vulë” historike ekonomike
Futja e denarit si monedhë kombëtare, hyrja në CEFTA, liberalizimi i tregtisë, fillimi i procesit të integrimit evropian – këto, sipas ekonomistëve, janë ngjarjet më të rëndësishme pozitive me impuls ekonomik.

“Nëse shikojmë prapa, ka disa momente kyçe që e formësuan ekonominë. Në një kontekst pozitiv, më të rëndësishmet ishin: futja e denarit në vitin 1992 dhe stabilizimi i politikës monetare; hyrja në CEFTA dhe hapja ndaj tregtisë rajonale; si dhe investimet e kompanive të huaja pas vitit 2006, të cilat, megjithëse me efekt të kufizuar, përsëri modernizuan një pjesë të strukturës industriale. Një hap pozitiv ishte edhe integrimi gradual me tregjet evropiane, i cili siguroi një kanal të qëndrueshëm eksporti”, thotë profesori Baush.

Ku po shkon ekonomia – kjo është një pyetje e rëndësishme, përgjigjja e së cilës do të përcaktojë nëse do të arrijmë të ndalojmë “murtajën e bardhë” – problemin më të madh që po godet çdo pore të shoqërisë si një cunami, thonë analistët.

“Mbeten çështjet që nuk duhen shtyrë: sa cilësore janë vendet e punës dhe pse po largohen të rinjtë; sa të përqendruara janë eksportet dhe sa jemi të përgatitur për tronditje të reja; nëse borxhi publik dhe investimet kapitale kontribuojnë për rritjen ekonomike; nëse sistemet financiare dhe sociale ofrojnë vlerë për paratë, nëse kemi institucione dhe elita politike të pjekura”, thotë profesori Trenovski.

Ekonomisti Baush thekson se pa stabilitet politik dhe pjekuri, nuk ka stabilitet ekonomik.

“Në një kontekst negativ, momente kyçe ishin bllokada ekonomike nga Greqia në vitet e 1990-ta, konflikti i vitit 2001 që e prishi stabilitetin ekonomik dhe kriza financiare globale e vitit 2008 që e tregoi cenueshmërinë e ekonomisë. Sot, një faktor negativ është edhe paqëndrueshmëria kronike politike që krijon paparashikueshmëri për investitorët. Problemi kryesor mbetet se shteti mbështetet më shumë në huamarrje dhe masa afatshkurtra sesa në reforma strukturore, kështu që pjekuria ekonomike është më shumë një proces sesa një realitet”, tha Baush.

Për 34 vjet pavarësi, ekonomia ende po “lundron” në ujëra të trazuara – paralajmërime për mega-investime me kredi të huaja në nivel qendror dhe lokal, buxhet historikisht i lartë prej 6,5 miliardë eurosh, borxh publik prej mbi 60% të PBB-së, betejë me presionin e çmimeve, rrogë mesatare të cilën e “ha” inflacioni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button