Filmi “The Voice of Hind Rajab”, u duartrotkit për 23 minuta nga audienca e përlotur pas premierës së tij në Festivalin e Filmit në Venedik

Një film tronditës për një vajzë pesë-vjeçare të vrarë nga forcat izraelite në Gaza vitin e kaluar mori një ovacion rekord në këmbë prej 23 minutash pas premierës së tij të mërkurën Festivalin e Filmit në Venedik. “The Voice of Hind Rajab” (“Zëri i Hind Rajab”), me regji të Kaouther Ben Hania, është përshkruar nga kritikët si “materiali më i fuqishëm dhe më urgjent i këtij edicioni”. Filmi la të përlotur pjesën më të madhe të audiencës dhe shumë gazetarë gjatë shfaqjes së parë, transmeton Portalb.mk.
Filmi rindërton telefonatën e fundit dhe të dëshpëruar të vogëlushes Hind Rajab, e cila në janar 2024 mbeti e bllokuar në rrënojat e një makine në veri të Gazës, e rrethuar nga trupat e pajetë të xhaxhallarëve dhe katër kushërinjve të saj të vegjël.
E fshehur poshtë një karrike dhe e vetmja e mbijetuar, Hind arriti të telefononte Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze me telefon. Megjithatë, vajza dhe mjekët që po përpiqeshin ta shpëtonin u vranë nga forcat izraelite.
Regjisorja e filmit Kaouther Ben Hania ka deklaruar se ishte vetë zëri i Gazës që kërkonte ndihmë.
“Kur e dëgjova për herë të parë zërin e Hind Rajab, ndjeva diçka përtej fjalëve të saj. Ishte vetë zëri i Gazës që kërkonte ndihmë dhe askush nuk arriti ta dëgjonte”, ka deklaruar Kaouther Ben Hania.
Në një deklaratë në emër të gjithë ekipit të filmit, aktorja Saja Kilani potencuar se historia e Hindit mbart peshën e një populli të tërë.
“Zëri i Hind Rajab nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë. Ky film nuk është opinion dhe as fantazi. Është i rrënjosur në të vërtetën. Historia e Hindit mbart peshën e një populli të tërë, nuk është vetëm e saj. Zëri i saj është një nga 19 mijë fëmijët që humbën jetën në Gaza vetëm në dy vitet e fundit”, është shprehur Kilani.
Nëna e Hindit, Wissam Hamada, ka shprehur shpresën se filmi do të ndihmojë në përfundimin e luftës: “E gjithë bota na ka lënë të vdesim, të vuajmë urinë, të jetojmë në frikë dhe të zhvendosemi me forcë, pa bërë asgjë,” tha ajo për AFP nga Qyteti i Gazës, ku jeton me djalin e saj pesë vjeçar.
Ben Apolloni në një shkrim në Facebook, ka shkruar se ky film ka pasur ndikim te shikuesit për shkak të autenticitetit të telefonatës që e bën filmin shumë të fuqishëm dhe të padurueshëm emocionalisht për audiencën.
“Ky film pati ndikim shumë të madh tek shikuesit për shkak të autenticitetit të telefonatës që e bën filmin shumë të fuqishëm dhe të padurueshëm emocionalisht për audiencën.
Kaouther Ben Hania (e nominuar më herët për Oskar me filmin Four Daughters), e ndërthur këtë histori me gjuhën e saj poetike vizuale, duke e bërë një dokumentar artistik më shumë sesa një raportim gazetaresk. Kjo ishte arsyeja pse filmi shkaktoi 23-24 minuta standing ovation në Venecia dhe është cilësuar si një nga dokumentarët më të fortë politikë dhe humanë të dekadës”, ka shkruar Ben Apolloni.



