Riparimi i televizorëve – Zanati që Adem Idris e ruan prej dekadash

Gazetar: Avni Tahiri
Në kohën kur teknologjia ndryshon shpejtë dhe pajisjet me shpesh zëvendësohen se riparohen, Adem Idris është mjeshtër i ndryshimeve të mëdha të kohës. Që në moshën 14 vjeçare ai njihet si “ustai i televizorëve”.
Mjeshtërinë e tij e ka filluar që në kohën kur televizorët ishin bardh e zi, të mëdhenj, të rëndë dhe plot “sekrete” teknike. Ai kujton me nostalgji ditët kur rregullimi i një televizori kërkonte më shumë durim dhe dëshirë për të mësuar teknologjinë se sa pjesë rezervë.
“Ka qenë një televizor i vjetër , mjeshtri im atëherë nuk ishte në dyqan dhe u mundova ta rregulloj vetë dhe ishte gëzim i madh se e rregullova. Ishte nga ato televizorët bardh e zi? Po, ishte bardh e zi, e që nga ajo kohë e sot vazhdon më teknologji më të re e më të re”, tha Adem Idris – mjeshtër i televizorëve.
Pavarësisht përparimit të teknologjisë, Idriz i ka mbetur besnik profesionit të tij. Në punëtorinë e tij modeste, vazhdon të rregullojë televizorë të rinj, duke u ofruar klientëve përshtatje të mjeshtërisë së kohës moderne.
“Më herët kërkesat kanë qenë më të shumta sepse u deshtë patjetër të rregullohet televizori por edhe tani ka kërkesa sepse nuk janë shumë kualitet, më shpejtë prishen, pra edhe tani ka kërkesa, sigurisht shumica edhe nuk i rregullojnë për shkak të çmimeve të reja por prapë vazhdojmë. Cilët pjese prisheshin më shpesh atëherë e cilat pjesë të televizorëve prishen tani? Atëherë ishin transformatorët si pjesa më e shtrenjtë ndërsa tani 90 % të defekteve janë ledat”, shtoi Adem Idris – mjeshtër i televizorëve.
Adem Idris është shembull i një mjeshtri të vërtetë që nuk i është dorëzuar kohës. Ai është dëshmi që disa zanate nuk zhduken për aq kohë sa ekzistojnë njerëz që i trashëgojnë ato. Për këtë arsye, fëmijët e tij tani janë trashëgimtarë të zanatit të tij por të kohës moderne dhe teknologjisë së re.
“Nuk ka kërkesa as për çirak, ja unë i kam djemtë që me ndihmojnë dhe e vazhdojmë traditën tonë, filluam me djalin e axhës e më pas vëllai e tani unë, dhe jemi me këtë punë”, u shpreh Adem Idris – mjeshtër i televizorëve. /Alsat.mk



